Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen në veri të Kosovës. Ai u shpreh se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të zhvillohen më 23 prill. Sipas tij, pasi të formohen autoritetet e reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do të kenë “pushtim të plotë”. “Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiq më 22 prill, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta. Lideri serb tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Në zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave dhe vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.