Forcat izraelite të mbrojtjes kanë hyrë në Siri për herë të parë në 50 vjet, sipas gazetës izraelite The Times of Israel. Pas rrëzimit të Bashar al-Assad nga grupet rebele siriane, forcat izraelite hynë në Lartësitë e Golanit të dielën, territor në Sirinë jugperëndimore që Izraeli e ka patur në shënjestër që nga vitet 1960. Në një deklaratë, Forcat izraelite të mbrojtjes thanë: "Në përputhje me vlerësimin e situatës pas ngjarjeve të fundit në Siri, IDF ka dislokuar forca në zonën neutrale dhe në disa pika të tjera të nevojshme për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e komuniteteve të Lartësive të Golanit dhe qytetarëve të Izraelit. "Ne theksojmë se IDF nuk po ndërhyn në ngjarjet e brendshme në Siri. IDF do të vazhdojë të veprojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të ruajtur zonën dhe për të mbrojtur Izraelin dhe civilët e tij". Hyrja e Izraelit në Siri është e rëndësishme pasi vendi i përfshirë në luftë që nga 7 tetori 2023 mund të hapë një front të katërt, pasi forcat izraelite të mbrojtjes po luftojnë tashmë me Libanin, Iranin dhe Gazën. Para këtij rasti ushtria izraelite nuk kishte hyrë në Siri që nga Marrëveshja për Shkëputjen që Izraeli dhe Siria nënshkruan në 1974. Ajo shërbeu si një marrëveshje armëpushimi dhe angazhoi të dy vendet që të ruanin një zonë neutrale. Izraeli sidoqoftë raportohet se ka hyrë në zonë në intervale të shkurtra në disa raste. Dislokimi i ushtrisë izraelite në Siri raportohet të jetë i përkohshëm dhe është bërë në bashkëpunim me Forcën Vëzhguese të Disangazhimit të Kombeve të Bashkuara (UNDOF), e cila ka për detyrë të ruajë zonën e mbrojtur midis dy vendeve. Forca Ajrore izraelite raportohet gjithashtu se goditi objektiva për të shkatërruar asetet qeveritare siriane që mund të përdoreshin potencialisht kundër forcave izraelite nga rebelët, sipas The Neë York Times. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më herët festoi rënien e regjimit të Asadit në një postim në X ku tha: "Kjo është një ditë historike për Lindjen e Mesme. Rënia e regjimit të Asadit, tiranisë në Damask, ofron mundësi të mëdha, por gjithashtu është e mbushur me rreziqe të mëdha. Ne shtrijmë një dorë paqeje për të gjithë ata që janë përtej kufirit tonë në Siri që duan të jetojnë në paqe me Izraelin."