Përpara se të merrte detyrën, Presidenti Donald Trump dha një sinjal të qartë se për të lënë pas Kinën, administrata e tij duhej të zbatonte një axhendë agresive sa i takon zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe infrastrukturës që e fuqizon atë. Në ditën e tij të parë në detyrë, Presidenti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv të nënshkruar në 2023 nga ish-Presidenti Joe Biden, që vendoste disa pengesa rreth zhvillimit të mjeteve gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale, si dhe përcaktonte masa të tjera mbrojtëse mbi privatësinë, të drejtat civile dhe sigurinë kombëtare. Një ditë më vonë, Trump u takua me drejtuesit e disa kompanive kryesore të teknologjisë, përfshirë Sam Altman, drejtuesin ekzekutiv të 'Open AI'; Larry Ellison, president i kompanisë 'Oracle' dhe Masayoshi Son, drejtues ekzekutiv i 'SoftBank', për të njoftuar një investim prej 500 miliardë dollarësh të sektorit privat në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, të njohur si ‘Stargate’.