Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për ish-juristin e Kadastrës së Durrësit Mikel Zaho. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim për tjetërsimin e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke në zonën e Spitallës në Durrës. Zaho ishte person në kërkim që nga muaji prill i këtij viti, pasi me kërkesë të Prokurorisë Gjykata kishte vendosur në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg" për të. Ai u kap nga policia e Durrësit dy ditë më parë. Hetimet e nisura që në vitin 2019 zbuluan një skemë për përfitimin e paligjshëm të 151 mijë metër katrorë tokë në Spitallë të Durrësit.