Pas lajmit të publikuar nga Top Channel, se dy shtetas shqiptarë, pjesëtarë të shoqërisë civile ishin ndaluar të hynin në territorin serb për një vit me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, ka reaguar ministtria e Jashtme e Shqipërisë. Në një postim në Facebook, ministria e Jashtme bën me dije se ka thirrur në takim ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçević dhe i ka shprehur shqetësimin mbi këtë rast. ‘Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd’ , ka reaguar ministria më tej. “Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë”.