Pas vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e aplikacionit TikTok për një vit, kryeministri Edi Rama u takua në Davos me kryetaren e marrëdhënieve me qeveritë dhe politikën publike të tiktok-ut. Ndër të tjera, gjatë këtij takimi u vendosën piketat e bashkëpunimit për të siguruar rihapjen e këtij aplikacioni në një kohë sa më të arsyeshme. “Me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë.” Vendimi i qeverisë shqiptare për mbylljen e aplikacionit TikTok në Shqipëri, erdhi pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Canit në afërsi të shkollës Fan Noli në kryeqytet. Pas konsultimeve me prindërit në shkolla, Rama deklaroi se mbyllja e TikTok-ut, vjen si një masë për të frenuar gjuhën e urrejtjes dhe përplasjeve verbale në hapësirë virtuale, që agravojnë deri në përplasje fizike që mund të çojnë në fatalitet.