Këtë vit ndryshon mosha e daljes në pension për gratë dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dyja gjinitë, sipas ndyshimeve ligjore që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Pas reformës së pensioneve të ndërmarrë dhjetë vite më parë, rritet gradualisht mosha dhe vjetërsia e punës. Këtë vit një grua duhet të jetë 61 vjeç e dhjetë muaj, për të përmbushur kriteret për të përfituar nga pensioni i pleqërisë. Sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2015, mosha e daljes në pension rritet me dy muaj në vit. Kështu në vitin 2032, pritet që të arrijë në 63 vjeç. Dhe në vitin 2056, mosha e daljes në pension do të jetë 67 vjeç si për gratë ashtu edhe për burrat. Këtë vit, burrat ndikohen nga vjetërsia e daljes në punë, pasi duhet të kenë 38 vjet e tetë muaj punë për të përmbushur kriteret e daljes në pension. Rritja graduale e moshës dhe vjetërsisë së punës, ndikon edhe në masën e pensionit të pleqërisë, referuar formulës së përllogaritjes së tij.