Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të ketë ndikim të madh mbi fazën e ardhshme të luftës në Ukrainë, por se si planifikon ai ta përdorë atë, mbetet një çështje e hapur. Trump premtoi gjatë fjalimit të tij të parë pas inaugurimit, më 20 janar, se do të jetë “paqebërës” ndërsa ka deklaruar gjatë fushatës se do ti japë fund shpejt luftës në Ukrainë, e cila merr ndihma ushtarake amerikane prej miliarda dollarësh. Por, qasja e tij më tregtare ndaj diplomacisë ka nxitur frikë se ai mund të bëjë një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, në dëm të Ukrainës. “Ka ende shqetësime se Trump do të arrijë marrëveshje me Putinin, dhe më pas do t’i thotë Ukrainës se ajo duhet ta pranojë atë ose ai do të pezullojë ndihmat amerikane për Ukrainën”, thotë për REL Marie Dumoulin, ish-diplomate franceze në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme. Strategjia e presidentit të ri amerikan për përfundimin e luftës ende po merr formë, por analistët theksojnë se ai ka dy rrugë të gjera përpara. E para është shtyrja e Ukrainës në tavolinën e negociatave, duke kushtëzuar ndihmën jetike ushtarake dhe duke e detyruar atë të nënshkruajë një marrëveshje për paqe me kushte të pafavorshme, një mundësi që Kievi dhe shumica e kryeqendrave perëndimore e konsiderojnë skenarin më të keq. Tjetra është intensifikimi i trysnisë ndaj Rusisë me sanksione të reja dhe me rritje të mbështetjes ushtarake për Ukrainën. “Në këtë pikë, secili opsion është ende i mundur”, tha Dumoulin.