Teksa kriza energjetike është ulur këmbëkryq në vendin tone, ambasadorja e shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare që u mbajt te Pallati i Brigada, me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama dhe të kompanive lider në SHBA e BE. Ambasadorja Kim u shpreh gjatë fjalës së saj se pushtimi rusi i Ukrainës ka bërë të qartë nevojën e diversifikimit të burimeve të energjisë. Ajo theksoi se tashmë është koha për të vepruar. "Pak prej nesh mendonin se do ishim ulur në këtë konferencë ndërkombëtare për energjinë. Jemi mbledhur të vendosur për sigurinë dhe energjinë. Pushtimi i Rusisë ka bërë të qartë se diversifikimi i burimeve të energjisë nuk pret më, ndaj lind nevoja të kemi më shumë gazsjellësa. Shpresojmë që diskutimet sot të prodhojnë ide reale. Siguria energjetike ka qenë gjithnjë e lidhur me sigurinë kombëtare dhe ajo që po jetojmë sot e bëjnë edhe më të dukshme. Tani është koha për të vepruar".