Ushtria e Koresë së Jugut tha të premten se dyshon se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë më shumë trupa në Rusi për të luftuar forcat ukrainase, edhe pasi ka pësuar humbje dhe ka parë disa nga ushtarët e saj të kapur. "Meqenëse kanë kaluar katër muaj për dërgimin e trupave për luftën Rusi-Ukrainë dhe janë regjistruar shumë viktima, madje edhe robër lufte, Koreja e Veriut dyshohet se po përshpejton masat pasuese dhe po përgatitet për një dërgim shtesë të trupave", u tha në një deklaratë të shefave të Shtabit të Përbashkët (JCS). Analiza gjithsesi nuk specifikoi se çfarë masash të tjera pasuese mund të marrë Pheniani. Koreja e Veriut po përgatitet gjithashtu të lëshojë një satelit spiun dhe një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), megjithëse nuk kishte shenja të veprimit të menjëhershëm, thanë shefat e shtabit të përbashkët. Këtë muaj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se dy ushtarë të Koresë së Veriut ishin kapur në rajonin Kursk të Rusisë, duke shënuar herën e parë që Ukraina shtinte në dorë të gjallë ushtarët e Koresë së Veriut që nga hyrja e tyre në luftë vjeshtën e kaluar.