Kremlini tha të enjten se nuk shihte asgjë të re në kërcënimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të goditur Rusinë me sanksione dhe tarifa të reja, nëse ajo nuk pranon t'i japë fund luftës në Ukrainë. Duke iu referuar Rusisë dhe luftës, Trump tha të mërkurën: "Nëse nuk arrijmë një "marrëveshje" për ti dhënë fund luftës shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që shitet nga Rusia në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera”. Trump tha se do t'i bënte një favor shumë të madh Rusisë dhe Putinit, duke i detyruar që t'i japin fund asaj që ai e quajti "luftë qesharake". I pyetur për komentet e Trump, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Trump kishte vendosur shpesh sanksione kundër Rusisë edhe në mandatin e tij të parë si president. "Ne nuk shohim ndonjë element veçanërisht të ri këtu," u tha Peskov gazetarëve. “Atij i pëlqejnë këto metoda, të paktën i kanë pëlqyer gjatë presidencës së tij të parë”. Moska po monitoron nga afër të gjitha deklaratat e Trump, tha ndërkohë Peskov. "Ne i dëgjojmë me kujdes të gjitha deklaratat. Ne mbetemi të gatshëm për dialog, Presidenti Putin ka folur vazhdimisht për këtë; për dialog të barabartë, për dialog të respektueshëm reciprok". Trump, i cili në fillim të kësaj jave tha se konflikti në Ukrainë po "shkatërronte" Rusinë, ka thënë se ka në plan të flasë së shpejti me Putinin. Sipas Peskov, Moska ishte ende duke pritur për "sinjale" nga pala amerikane.