Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur ta shpallin përsëri organizatë terroriste grupin rebel jemenas, Huthi, i cili mbështetet nga Irani. "Të mbështetur nga Forca Qud e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC-QF), e cila armatos dhe stërvit organizatat terroriste në mbarë botën, rebelët huthi kanë shtënë ndaj luftanijeve të marinës amerikane dhjetëra herë prej vitit 2023, duke i vënë në rrezik gratë dhe burrat amerikanë në uniformë", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë. Në komunikatë, ajo iu drejtuar Huthit si Ansar Allah, që është emri i përdorur nga grupi ekstremist, i cili ka luftuar që nga vitet e '90-ta kundër qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht. Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump nis një proces që me gjasë do të përfundojë brenda 45 ditëve për ta shpallur edhe zyrtarisht Huthin si organizatë terroriste në bazë të legjislacionit amerikan. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e kishte shpallur Huthin si organizatë të huaj terroriste, por ai vendim u shfuqizua nga administrata Biden për shkak të shqetësimeve se një gjë e tillë mund të pengonte dërgimin e ndihmave të domosdoshme në Jemen. Presidenti Joe Biden më pas e shpalli Huthin entitet të posaçëm terrorist global, që është sanksionim i një shkalle më të ulët. Veprimi i fundit, një nga të parat e Trumpit në mandatin e tij të dytë në fushën e marrëdhënieve të jashtme, mund të jetë hap fillestar në fushatën e "presionit maksimal" që ekipi i tij ka premtuar të ripërtërijë kundër Iranit, të cilin e fajëson për mbështetjen e aktiviteteve ekstremiste në Lindjen e Mesme. Më 2014, rebelët huthi e morën kontrollin në pjesën më të madhe të veriut të Jemenit dhe kryeqytetin e tij, Sana, duke çuar në një luftë që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka krijuar një katastrofë humanitare në vendin më të varfër të botës arabe.