Sezoni i gripit sapo ka filluar dhe mjekët sugjerojnë vaksinimin për t’u mbrojtur nga gripi, sidomos për moshat mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sëmundje kronike, që konsiderohen më të riskuar. Sipas të dhënave të dertanishme, trendi i shtrimeve në spital apo i infeksioneve respiratore është thuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. “Shqipëria është në sezonin e gripit ashtu si të gjitha vendet e rajonit europian dhe vendet e hemisferës veriore. Ky është një sezon normal gripi, trendi i infeksioneve respiratore është i njëjtë me vitin që shkoi, por duke qënë se jemi në sezon gripi duhet të jemi të kujdesshëm. Të gjithë ata që nuk janë vaksinuar janë në kohë të vaksinohen, pasi sezoni i gripit sapo ka filluar dhe do të jetë në vazhdim edhe në shkurt. Deri më tani janë përdorur rreth 75 për qind e vaksinave të shpërndara dhe janë vaksinuar 30 për qind e personave mbi 65 vjeç, por ju sugjerojmë të gjithë atyre që janë mbi 60 vjeç apo kanë sëmundje kronike të vaksionohen.” Përveç gripit këtë vit ka dhe rritje të sëmundjeve pulmonare, bronkite që janë të lidhura me komplikacionet e gripit.