Më shumë se 300 policë morën pjesë në bastisjet që u zhvilluan në shtëpitë e mbështetësve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, mëngjesin së enjtes në Gjermani. Bastisjet janë zhvilluar në 15 prona, 11 prej të cilave ndodhen në kryeqytetin Berlin, njoftoi Ministria e Brendshme gjermane. Masat u urdhëruan nga gjykatat për të zbatuar ndalimet dhe për të sqaruar më tej strukturat e këtyre grupeve të ndaluara, tha ministria. "Ne po vazhdojmë aksionin tonë kundër islamistëve radikalë," tha ministrja Nancy Faeser. Sipas autoriteteve gjermane, bastisjet janë zhvilluar në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të grupit radikal palestinez dhe organizatave që janë të ndaluara në vend. Më 2 nëntor, Gjermania ndaloi Samidoun, rrjetin e solidaritetit me të burgosurit palestinezë, dhe vendosi masa të mëtejshme për të zhdukur mbështetjen për grupin ekstremist palestinez Hamas. "Duke ndaluar Hamasin dhe Samidoun në Gjermani, ne kemi dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerojmë asnjë lavdërim apo mbështetje të terrorit barbar të Hamasit kundër Izraelit", tha në atë kohë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser. "Samidoun, si një rrjet ndërkombëtar, përhap propagandë anti-izraelite dhe anti-hebraike nën maskën e të qenit një ‘organizatë solidariteti’ për të burgosurit në vende të ndryshme," tha ajo. Sipas ndalimit, pasuritë e grupeve mund të konfiskohen, si dhe është joligjore çdo prani në internet ose aktivitete në media sociale nga këto grupe. Kushdo që vazhdon të jetë aktiv për organizatat është duke kryer një vepër penale, tha ministria.