Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë. Vuçiç reagoi përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram. Ai thotë se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”. “Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiç, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.