Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Prush të Tiranës, ku disa persona tentuan të grabisin një banesë. Bëhet me dije se kanë qenë 5 autorë, ata të cilët duke bashkëpunuar me njëri tjetrin, tentuan të grabisnin një automjet dhe sende të tjera me vlerë në shtëpinë e të moshuarve. Dy të moshuarit, nuk kanë qenë vetëm në shtëpi, por bashkë me ta kanë qenë edhe dy nipërit e mitur, njëri prej të cilëve ka njoftuar policinë në telefon për tentativën e grabitjes. Autorët ishin veshur me uniforma policie, në mënyrë që të moshuarit mos të dyshonin se në banesën e tyre kishin trokitur hajdutët.