Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të sistemit të pensioneve. Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit, më i madhi në Belgjikë, u anuluan, pasi mbajtësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër, ndërpreu punën. Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për të mbajtur në funksion linjat e largëta. Operatori i aeroportit Charleroi, që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair, tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.