Janë vetëdorëzuar sot në policinë e Shkodrës, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, në shoqërimin e avokatit Sokol Tahiraj. Emrat e tyre janë përfolur si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, mes të cilës edhe ngjarjes së rëndë të Dobraçit me 4 të vdekur. Për ngjarjen e 30 tetorit ku humbën jetën Hamza Licit dhe Arlind Bushatit pasi u qëlluan me armë nga makina, dy personat nuk janë shpallur zytarisht në kërkim nga Policia e Shkodrës. Në këtë masakër, të vdekur mbetën edhe çifti i qytetarëve që po udhëtonte më motor në momentin e atentatit. Sakica dhe Troshani zyrtarisht janë të shpallur në kërkim për ngjarjen e qershorit ku dhunuan me mjete të forta një person në lagjen Rus. Policia reagoi zyrtarisht për vetëdorëzimin e tyre, duke deklaruar se ndaj tyre u ekzekutua masa “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Sipas policisë, ata janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.