Duket se policia rrugore në vendin tonë ka ndryshuar strategji për të luftuar aksidentet në rrugë që vijnë si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Përgjatë gjithë ditës së premte, policia rrugore ka kryer monitorime në autostradën Tiranë – Durrës, por pavarësisht se ka konstatuar shoferë që kanë kryer shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, nuk i ka gjobitur. Efektivët kanë ndaluar mjetet që ecnin me shpejtësi, por ndryshe nga rastet e tjera, janë mjaftuar vetëm me këshilla. Në vend të ndëshkimeve, policia synonte të bënte ndërgjegjësimin e qytetarëve, duke u treguar shoferëve për pasojat e aksidenteve të ndodhura për shkak të shpejtësisë dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo nismë e re ndërmerret për të ndërgjegjësuar sa më shumë qytetarët, por edhe për të parandaluar aksidentet rrugore.