Trump dëshiron të flasë me Putinin, së shpejti, për ta bindur atë të ndalojë luftën në Ukrainë, megjithatë, nëse shefi i Kremlinit nuk ia vë veshin, atëherë ai sipas La Republiccas, mund të jetë i gatshëm të rrisë ndihmën ushtarake për Kievin, në mënyrë që ta shtyjë Moskën të pranojë dialogun. Trump, thuhet në shkrim, dëshiron ta telefonojë Putinin e këtë ta bëjë sa më shpejt. Mes këmbënguljeve të tij se ka ardhur koha për t'i dhënë fund luftës dhe është i gatshëm të ndihmojë per gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, thuhet se plani tij përfshin ngrirjen e frontit, pa njohjen e territoreve të pushtuara nga rusët, dhe negociata për të përcaktuar strukturën afatgjatë. Nëse Putini dëshiron kthimin e Kurskut, atij do t`i duhet që t`u ofrojë diçka ukrainasve në këmbim. Ndoshta Zaporizhzhian me termocentralin e saj bërthamor, të cilin për momentin nuk po e përdor askush dhe përbën një rrezik të madh sigurie, sepse zona përreth është e minuar. Asgjë nuk do të thuhet për hyrjen e Kievit në NATO, sepse Putini nuk e dëshiron një gjë të tillë për këtë arsye, mund të diskutohet shtyrja e një pretendimi të tillë për 20 vjet. Administrata e re pret që Putini të refuzojë, duke vendosur kushte. Pastaj, thotë La Republicca, Trump mund të përgjigjet se nëse ai refuzon negociatat, në vend që ta reduktojë ndihmën ushtarake për Kievin, republikani mund të bëjë të kundërtën e ta shtojë atë. Nëse Volodimir Zelensky blen armë amerikane, nuk do të ketë kufizime se sa të tilla mund të blejë dhe si do t'i përdorë ato. Për këtë arsye, këshilltarët e Trump mendojnë se përballë një kërcënimi të tillë, Vladimir Putini mund të detyrohet të rishqyrtojë pozicionin e tij në negociata.