Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda po përballen me një mot të keq, teksa stuhia “Eowyn” ka trokitur në qytete. Kjo stuhi ka thyer rekorde në Republikën e Irlandës, pasi era ka arritur shpejtësinë 183 km/h, ndërsa është shënuar një viktimë. Paralajmërime janë bërë edhe për Skocinë, vend që pritet të përballet me mot të keq. Njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë këshilluar të mos udhëtojnë, pasi ekzistojnë paralajmërime të shumta të motit. Stuhia “Eowyn” ka detyruar qindra shkolla anembanë vendit të mbyllin dyert e tyre sot. Më e prekura është Irlanda e Veriut, ku të gjitha shkollat janë mbyllur. Glasgow dhe Edinburgh kanë mbyllur gjithashtu të gjitha shkollat e tyre. Transporti hekurudhor është ndaluar në shumë qytete, për të shmangur incidentet pasi shpejtësia e erës vijon të mbetet e lartë. Probleme të shumta ka dhe me energjinë elektrike.