Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka akuzuar Rusinë për rrëzimin e aeroplanit në ditën e Krishtlindjeve dhe se ka fshehur shkakun. Aeroplani i Azerbajxhanit po udhëtonte për në Grozny në Çeçeni përpara se të bënte një ulje emergjente pranë Aktaut. Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë tha fillimisht se avioni u rrëzua pasi u përplas me zogj, megjithëse më vonë raportoi se dronët luftarakë ukrainas dhe mjegulla e dendur e detyruan avionin të largohej nga hapësira ajrore ruse. Shpimet në trupin e avionit që duken të ngjashme me dëmtimet nga copëzat ose mbeturinat, bënë që shumë njerëz të besonin se avioni ishte rrëzuar nga njësitë ruse të mbrojtjes ajrore. “Fakti që trupi i avionit është i mbushur me vrima tregon se teoria e aeroplanit që godet një tufë zogjsh… është hequr plotësisht. Në të njëjtën kohë, si pasojë e zjarrit nga toka, edhe bishti i avionit u dëmtua rëndë”, tha Aliyev, sipas medias shtetërore të Azerbajxhanit. Presidenti i Azerbajxhanit tha se avioni u dëmtua mbi territorin rus, duke shtuar se “sistemet e luftës elektronike e nxorën avionin tonë jashtë kontrollit”. Të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin “kërkoi falje për faktin se incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse” në një telefonatë me Aliyev, duke shtuar se mbrojtja ajrore ruse ishte aktive në atë kohë, por nuk pranoi fajin.