Një ditë para se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut të shqyrtojë kushtetueshmërinë e ligjit të shumëpërfolur për gjuhët, kryeministri shqiptar Edi Rama komentom debatin më të madh të kohëve të fundit në shtetin fqinjë. Në reagimin e tij kryeministri shqiptar shpreh bindjen se cështja e gjuhës shqipe dhe ligji në veçanti shkon përtej gjykatave, është themeli që mban të bashkuar vetë shtetin e Maqedonisë së veriut. ...gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve. Në një sens si ai që Arbën Xhaferri e tregon si ëndrrën e tij më të madhe, në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriu në sistemin e vlerave perëndimore, poltike etike e kulturore. Kjo është një gjë shumë e madhe për tu futur në labirinthe juridike që tanimë i përkasin të kaluarës... Deklaratën kryeministri e bëri në një aktivitet me të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”. Sipas ligjit të gjuhëve të sanksionuar me marrëveshjen e Ohrit, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtën të përdorin gjuhën shqipe në të gjitha institucionet shtetërore, si edhe dokumentet zyrtare mund të jenë në të dy gjuhët. Shfuqizimi i ligjit do të cenonte statusin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel kombëtar.