Në prag të 80-vjetorit të çlirimit të ish-kampit nazist të Aushvicit, në Tiranë u shfaq premiera e filmit “The Ring”, që eksploron kompleksitetin e ruajtjes së kujtesës së Holokaustit, peshën e traumës ndër breza dhe procesin e shërimit përmes zbulimit të së kaluarës. “Të tregosh historinë e Holokaustit 80 vite më pas është sfiduese. Duhet t’ia transmetojmë të gjithë brezave të rinj. Sot kemi arritur te gjenerata e pestë e të mbijetuarve dhe të gjithë duhet të njihen me këtë histori”, shprehet ambasadorja izraelite në Shqipëri, Galit Peleg. Regjisori Adir Miller, që luan rolin kryesor në film, është frymëzuar nga historia e nënës së tij, Marian Miller, një e mbijetuar e Holokaustit. “Kam dëgjuar gjithnjë për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë. Asnjë shqiptar nuk u tregoi gjermanëve që ka një hebre këtu. Por, familjarët e mi nuk kishin fatin të ishin në Shqipëri, shumë prej tyre u vranë dhe u hodhën në Danub”, thotë Miller. I xhiruar në Izrael dhe Hungari, The Ring, “Unaza” rikrijon Evropën e viteve 1940, duke ndërthurur me mjeshtëri narrativat personale dhe historike. Ndërsa shëndeti i nënës së tij përkeqësohet, protagonisti nis një udhëtim emocional në vendlindjen e saj në Budapest në kërkim të unazës që dikur i shpëtoi jetën… Në një botë ku historia ndonjëherë harrohet ose keqkuptohet, arti dhe filmat na ndihmojnë të reflektojmë mbi të kaluarën tonë të përbashkët, u shpreh ministri i MEKI, Blendi Gonxhe, i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga ambasada izraelite në Shqipëri, teksa risolli në vëmendje faktin se Shqipëria është i vetmi vend evropian që strehoi të gjithë hebrenjtë gjatë Holokaustit dhe përfundoi Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa filloi.