Prokurorët e përgjithshëm të 22 shteteve amerikane ngritën padi të martën për të bllokuar masën e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund një praktike imigracioni në Shtetet e Bashkuar të njohur si e drejta e shtetësisë përmes lindjes, e cila garanton që fëmijët e lindur në SHBA janë shtetas pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre. Urdhri ekzekutiv i zotit Trump i nënshkruar të hënën synon përmbushjen e një premtimi të fushatës presidenciale, por suksesi i tij është i pasigurt, në kushtet kur e drejta e shtetësisë në bazë të lindjes është e parashikuar në kushtetutën amerikane.