Në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, Presidenti Bajram Begaj vuri theksin te integrimi në Bashkimin Evropian dhe mbështetja për shqiptarët, kudo ndodhen. “Integrimi evropian është e vetmja alternativë e Shqipërisë, është zgjedhje e natyrshme e një populli të lashtë, me vlera, kulturë e traditë evropiane dhe përkatësi Euroatlantike. Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe kudo në Diasporë mbeten në vëmendjen tonë për ruajtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar dhe garantimin e të drejtave të tyre” , u shpreh Presidenti Begaj. Në fjalën e tij, Presidenti vuri theksin edhe te vota e diasporës, që sipas tij, do kontribuojë në zgjedhjet e 11 majit në përzgjedhjen e alternativës më të mirë. “Diaspora shqiptare do të ketë mundësi që, me votën e saj, të kontribuojë për përzgjedhjen e alternativës më të mirë për vendin. Zgjedhjet janë një test pjekurie dhe, më shumë se rezultati, i rëndësishëm për ne mbetet respektimi dhe zbatimi i standardeve që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme, të drejta e demokratike”, u shpreh Begaj. Kreu i Shtetit Shqiptar kërkoi mbështetje për Kosovën dhe apeloi për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e mëtejshëm të NATO-s. “Shqipëria vijon mbështetjen e pakushtëzuar për Republikën e Kosovës për njohje të reja, për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe për afirmimin e saj në rajon e përtej. Forcimi i Aleancës Euroatlantike duhet të jetë prioritet. Një NATO e fortë dhe e përbashkuar do të kontribuojë në përballjen e çdo sfide”, u shpreh Presidenti shqiptar. Në fund, Kreu i Shtetit ftoi ambasadorët të bashkëpunojnë për përballimin e sfidave të përbashkëta, si dhe të kontribuojnë për promovimin e Shqipërisë.