Agjensia e Mbikëqyrjes Policore mbylli hetimin mbi profilin dhe personalitetin e policit Ardian Disha, i cili të premten shkaktoi një aksident me Gardën e Republikës që po transportonte familjen e gjyqtares Irena Gjoka. Në dosje, bën me dije ekskluzivisht Anila Hoxha, përmendet se janë këqyrur edhe kamerat e sigurisë për të konfirmuar deklaratat e truprojave që thanë se automjeti i kishte ndjekur nga Rinasi deri në vendin ku ndodhi aksidenti. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë mbi aksidentin e së premtes rezulton se vetëm një kamera ka qenë funksionale përmendet në raport. “Nga ana jonë u kqyrën kamerat në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, shkruan AMP, “dhe e vetmja kamerë që ka fiksuar momentin e kalimit të mjetit të Gardës së Republikës ndodhet e instaluar poshtë mbikalimit të Kasharit në orën 20:47“ .