Dhjetëra banorë të Laknasit, në Kamzë, po mbrojnë një pyll, teksa prej javësh janë përleshur me punonjës të një firme që do të bëjë një thertore. Fiks Fare bisedoi me banorët që tregojnë se pyllin e kanë mbrojtur gjatë gjithë kohës, pasi është e vetmja mushkri e zonës. Por, ajo pronë prej 12400 metra katrorësh, është dhënë me qira për 66 mijë lekësh të reja në vit, për 20 vite me radhë për t'u ndërtuar një thertore dhe stalla bagëtish. Në momentin e dhënies me qira, prona është cilësuar nga Bashkia Kamëz "zallishte", çka e ndihmoi firmën që mos të merrte leje nga Pyjet apo nga Agjencia e Mjedisit. Madje, nuk u pyetën as banorët. IKMT-ja ka cilësuar se në këtë sipërfaqe është një pyll dhe jo "zallishte". Por, thertorja po ndërtohet ngjitur me banesat, kur në fakt duhet të ketë një distancë prej 1000 metrash. Madje, duhet të ketë distancë edhe nga lumi, kur në fakt po ndërtohet buzë lumit dhe brenda në pyll! Banorët tregojnë se pylli ka qenë prej shumë kohësh në atë zonë dhe është mbrojtur me fanatizëm nga banorët vendas. "E mbrojmë nga lumi dhe është e vetmja mushkri. Na pastron edhe ujërat e lumit, pasi kemi vetëm ujë pusi. Por, mirë me këto probleme, por tani do na ndërtojnë një thertore ngjitur me banesat. Në vendin ku është pylli. S'ka as distancë nga banesat private" thotë një banor. Një tjetër pohon se punonjësit e firmës shkojnë në orën 3 të natës sikur janë hajdutë. "Mbrohen nga policia, e cila gjithmonë mban anën e tyre. Nuk dimë ku t'i drejtohemi, as bashkia s'na mbështet" thotë njëri prej tyre. Ata pohojnë se është dhënë një leje ndërtimi nga ish kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, për të ndërtuar këtë thertore. Madje, në zonë do të rritën edhe derra dhe lopë. "Të na marrin dhe të na shpërngulin ne nëse bëhet" thonë ata. Në momentin e dhënies me qira, prona është cilësuar nga Bashkia Kamëz "zallishte".