Një gjyq ka filluar këtë të premte kundër reperit të njohur amerikan, A$AP Rocky, i cili akuzohet se qëlloi me armë një ish-mikun e tij në Los Anxhelos.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Rakim Mayers, mund të përballet me 24 vjet burg nëse dënohet për dy akuza për sulm në incidentin e vitit 2021 pranë një hoteli të Hollywood-it.
Ylli i hip-hop-it i nominuar për Grammy, i cili është gjithashtu një manjat i modës dhe partneri prej kohësh i këngëtares Rihanna, është deklaruar i pafajshëm dhe i ka mohuar akuzat.
Viktima, kolegu artist dhe miku i fëmijërisë Terell Ephron, dëshmoi vitin e kaluar se plumbat e dëmtuan rëndë dhe kreu një trajtim mjekësor në një spital të Nju Jorkut.
Autoritetet thonë se të shtënat ndodhën më 6 nëntor 2021 pas një “debati të nxehtë” në Hollywood midis reperit dhe Terell Ephron, të cilët ishin të dy pjesë e kolektivit hip-hop të A$AP Mob dhe e kanë njohur njëri-tjetrin që në shkollë të mesme.
Sipas dokumenteve të akuzës, reperi dyshohet se fillimisht e ka nxjerrë armën në mënyrë kërcënuese gjatë një debati fizik, vetëm një bllok larg Hollywood Walk of Fame.
Prokurorët thonë se ai më pas ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të mikut të tij, i cili ka pësuar një lëndim të lehtë.
Avokati i tij tha për mediat amerikane se ata janë gati për gjyqin dhe mezi presin ta kalojnë me sukses.
Top Channel