Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, të cilit i shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve shqiptare për ta ndihmuar në përmbushjen e detyrës gjatë mandatit diplomatik në Tiranë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet Shqipëri-Itali, ndërsa u theksua angazhimi i plotë për thellimin e partneritetit strategjik bazuar në marrëdhëniet e qëndrueshme historike, ekonomike dhe kulturore.
Dialogu politik mes dy shteteve u konsiderua intensiv dhe pozitiv në të gjitha fushat e bashkëpunimit. “Kontaktet e shpeshta tregojnë përkushtimin tonë për forcimin e lidhjeve dypalëshe, bazuar në interesat strategjike reciproke si aleatë të NATO-s me një të ardhme të përbashkët në BE”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke rikonfirmuar se si partnerë dhe aleatë në NATO, Shqipëria dhe Italia ndajnë qëndrime të përbashkëta në çështjet e politikës ndërkombëtare.
“Shqipëria do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Italisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme ndaj politikës së zgjerimit të BE-së dhe për rolin e saj proaktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në BE”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Gjatë takimit u fol edhe për arbëreshët e Italisë, të cilët vitet e fundit kanë qenë në qendër të disa aktiviteteve të Presidentëve të Shqipërisë dhe Italisë.
Arbëreshët kanë shërbyer dhe shërbejnë si ura lidhëse midis dy shteteve, duke dëshmuar një eksperiencë të vyer se si pakicat mund të integrohen në jetën e vendeve ku jetojnë.
Po ashtu, u vlerësua edhe mënyra e integrimit të shqiptarëve në Itali, të cilët kanë mbërritur atje tri dekadat e fundit. Njëherazi, në marrëdhëniet midis dy vendeve kontribuojnë edhe bizneset italiane që operojnë në Shqipëri apo shkëmbimet turistike.
Welcome to Tirana, Ambassador Alberti!
Italy and Albania are committed to deepening our Strategic Partnership, rooted in our enduring historical, cultural, and economic ties.
🇦🇱🇮🇹 pic.twitter.com/BwhTSjQZWa
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) January 24, 2025
Top Channel