Spitali Onkologjik, QSUNT do të bashkëpunojë me Sheba Medical Center, në Izrael, një nga ekselencat botërore të mjekësisë që nga sot është zyrtarisht partneri strategjik i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Një pjesë e mjekëve që punojnë në Tel Aviv do të jenë në spitalin Onkologjik.
Ai nuk i kurseu këshillat drejt stafit shqiptar, duke thënë se “duhet t’i lërë mënjanë emocionet fëmijërore kush jam unë e kush je ti, por të angazhohen profesionalisht. Stafi izraelit s’është këtu për të përfituar as para, as reputacion, as favor nga Shqipëria”.
“Ky nuk është një partneritet formal, nuk është as një shkëmbim rastësor ose sporadik eksperience, por është një aleancë strategjike, e bazuar në mirëkuptimin se krah për krah me lidershipin e spitalit Sheba, krah për krah me mjekët e spitalit Sheba, ne do të arrijmë të krijojmë një sinergji që do ta bëjë në këtë periudhë disa vjeçare që kemi përpara, Qendrën spitalore Universitare 2030 një shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe gjithë rajonin”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij, Kryeministri Rama.
Rama: Rikthehemi këtu në këtë auditor pas një takimi të mëparshëm që e zhvilluam si pasojë e një situate dramatike të shkaktuar nga një grup kriminelësh në spitalit onkologjik dhe sot më vjen shumë mirë që rikthemi me optimizmin dhe me garancinë që na jep një partneritet strategjik me një ndër qendrat më të shquara të ekselencës mjekësore në botë, spitalin prestigjioz të Izraelit, i cili është i rankuar i nënti në klasifikimin e përgjithshëm të spitaleve të të gjithë botës dhe jam shumë optimist sot për ecurinë e mëtejshme të transformimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe për transformimin e spitalit Onkologjik, duke filluar nga spitali Onkologjik, në një pasqyrë kuptimplotë të një shërbimi shëndetësor ekselent në Shqipëri sepse ky nuk është një partneritet formal, nuk është as një shkëmbim rastësor ose sporadik eksperience, por është një aleancë strategjike e bazuar në mirëkuptimin se krahë për krahë me lidershipin e spitalit Sheba, krahë për krahë me mjekët e Spitalit Sheba ne do të arrijmë të krijojmë një sinergji që do ta bëjë në këtë periudhë disavjeçare që kemi përpara qendrën spitalore universitare 2030 një shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.
Unë i jam shumë mirënjohës presidentit të Izraelit i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë u tregua shumë i gatshëm që të na vendoste këtë kontakt të cilin po e kërkonim për hir të së vërtetës prej disa kohësh. I jam shumë mirënjohës drejtuesit të mirënjohur të spitalit Sheba, profesorit Kreissi cili erdhi personalisht këtu në Shqipëri. Patën një takim të gjatë dhe në mënyrë shteruese iu qasëm të gjithë problematikës që ne duam të adresojmë dhe në atë takim sinqerisht mora këtë garanci për të cilën po ju flas sot dhe kjo që po ndodh sot është prova se ai takim nuk ishte një takim për të kaluar radhën, por ishte fillimi i një pune intensive që e kanë çuar përpara disa prej të deleguarve të spitalit duke filluar nga Nama që është këtu, që dua ta falënderoj për përkushtimin dhe patjetër edhe nga Yoel që është së bashku me ne këtu në tribunë por më shumë sesa një njeri i tribunave është një njeri i zbatimit të projekteve dhe të programeve në terrenin e jetës së përditshme
Çfarë kemi ne si ambicie nga ky partnership? Ne duam që në radhë të parë Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza të ngrejë në standarde europiane dhe në praktika më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit. Ajo çka kemi diskutuar me profesorin dhe me ekipin e tij gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë ishte që në këndvështrimin e tyre pasi ata bënë një vizitë të detajuar dhe analizuan situatën ne Qendrën Spitalore Universitare, Qendra Spitalore Universitare dhe janë fjalët e tyre nuk janë fjalët e mia, ka një brumë profesionistësh me të cilin mund të bëhet një bukë absolutisht e një niveli më të lartë. Fjalët e tyre. Dhe ajo çka qartësisht i duhet qendrës është një nivel tjetër menaxhimi, një kulturë tjetër menaxhimi, një qasje tjetër menaxhimi që ka të bëjë me një traditë që neve na mungon dhe tradita nuk mund të krijohet sepse thjeshtë ti ke dëshirë dhe sado të bësh tradita do kohën e vet, por ama ajo mangësi e traditës mund të adresohet pikërisht me aleanca dhe partneritete të kësaj natyre.
Paralelisht me asistencën e drejtpërdrejtë në terren, se kjo është shumë e rëndësishëm, këtu nuk jemi në kushtet që miqtë nga Izraeli do të na bëjnë një strategji në letër dhe do na lënë ta zbatojmë. Këtu jemi në kushtet kur bashkërisht përditë, hap pas hapi do të zbatojmë një strategji të ngritjes së qendrës në një nivel tjetër. Dhe çfarë do të ndodhë do të jetë që në jetën e përditshme të spitalit, duke filluar nga spitali Onkologjik do të ketë një sinergji të vazhdueshme. Ministrja përmendi disa gjëra, por ajo që është më kryesorja është që sot falë dhe teknologjisë procesi i ndërveprimit, procesi i bashkëpunimit, procesi i konsultimit në aspektin menaxherial dhe në asketin mjekësor do të jetë në kohë reale. Ky është angazhimi më madhor që kanë marrë miqtë tanë izraelit sepse është një angazhim që kërkon kohë dhe kërkon dedikim dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ngarkese ka shërbimi shëndetësor dhe sigurisht në aspektin e ngarkesës, është kudo e njëjta gjë dhe t’i kushtosh kohë dhe t’i kushtosh energji dhe t’i kushtosh burime njerëzore edhe ngarkesës së dikujt tjetër jashtë vendit tëndm, kjo është një sakrificë për të cilën përgjithmonë do t’i jemi mirënjohës miqve izraelitë.
Aspekti tjetër është aspekti teknologjisë, aspekti i teknologjisë dhe aspekti i investimeve në teknologji.
Kjo nuk është thjeshtë një çështje fondesh, kjo është një çështje dijeje. Se mund të kesh fonde, por nëse nuk ke dijen e mjaftueshme dhe nëse nuk ke qasjen strategjike në investimin për të ngritur një qendër ekselence, atëherë thjeshtë dhe vetëm mund të blesh më parë atë që duhet ta blesh më pas ose mund të blesh një gjë që në fakt nuk është e domosdoshme dhe mund të lësh pa blerë një gjë të domosdoshme, ose, ose, ose…
Pra është një çështje e një plani strategjik investimi në teknologji dhe kur vjen puna tek teknologjia, nuk besoj se ka njeri që nuk e di që Izraeli është një lider botëror dhe kur vjen puna tek teknologjia, spitali Sheba është një nga pararojat e zhvillimeve teknologjike në mjekësi, kështu që edhe në këtë aspekt ne kemi diskutuar, edhe plani i investimeve në spital do të jetë një plan që tanimë do të ketë një oponencë të vazhdueshme dhe do të jetë i asistuar nga këshillat e vazhdueshme të miqve tanë në Izrael dhe kjo do të na lehtësojë jashtëzakonisht punën, për të bërë në çdo hap, hapin e duhur dhe për ta bërë në drejtimin e duhur.
Dhe e treta që unë e konsideroj shumë të rëndësishme, është nga njëra anë, ndihma strategjike për burimet njerëzore të spitalit, për mjekët, për administratorët, për të gjitha nivelet e punës, qoftë për vizita pune afatshkurtra në Izrael, qoftë edhe për vizita-qëndrime afatgjata njëvjeçare për mjekë të caktuar që do të përzgjidhen, e përsëris, që do të përzgjidhen se kjo është shumë e rëndësishme, nga miqtë tanë, jo nga miqtë e miqve tuaj.
Që do të thotë që edhe në këtë aspekt, kemi garancinë e plotë që edhe nxitja e mëtejshme për të rritur kapacitetet tona njerëzore, do të bëhet mbi baza meritokratike dhe mbi baza të nevojave reale që ka spitali.
Dhe nga ana tjetër, ndihma direkte, konkrete për pacientë të caktuar, duke pasur parasysh nevojën në raste të caktuara për një trajtim që duhet bërë gjetkë, sepse e dimë shumë mirë, nuk është çështje e Shqipërisë apo e QSUT-së, por ka trajtime dhe ka ndërhyrje që mund të bëhen në shumë pak vende të Evropës apo edhe të botës dhe jam shumë mirënjohës, në mënyrë të posaçme për një angazhim të spitalit Sheba për të trajtuar rastet e rënda për fëmijët, rastet që kërkojnë realisht një ndërhyrje të super specializuar dhe këto ndërhyrje të super specializuara, do të bëhen me përfshirjen edhe të mjekëve të QSUT që do të jenë aty të pranishëm për të parë, për të mësuar dhe për t’u rritur në aspektin profesional.
Pra kemi të gjitha arsyet që të besojmë që me këtë partnership dhe nëse ne të gjithë së bashku do t’i dedikohemi këtij partnershipi në të gjitha nivelet, shpresoj që ky të jetë rasti dhe shpresoj që kjo ta themi të tërën, të jetë mundësia e artë për “kopshtin pa drekë” të onkologjikut, që të lërë mënjanë ato emocionet fëminore kush jam unë e kush je ti dhe të angazhohet plotësisht, profesionalisht sepse kur vjen puna individualisht, të gjithë janë profesionistë që nuk mund t’i vësh në dyshim, por një skuadër, e cila siç doli në pah, hyri në një përçartje vërtetë shumë shqetësuese dhe e them këtë sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i dedikohen këtij projekti.
Miqtë nga Izraeli nuk kanë këtu asnjë interes, nuk janë këtu për të fituar asgjë, as para, as reputacion, as ndonjë favor tjetër nga Shqipëria. Janë këtu për të na mbështetur dhe siç e dëgjuat dhe nga fjala e Joelit, siç e kam dëgjuar unë personalisht dhe nga fjalët e drejtuesit të përgjithshëm, profesorit që iu adresoi mesazhin, për t’i kthyer mbrapsht popullit shqiptar në fushën e tyre, një borxh moral për çfarë populli shqiptar bëri për hebrenjtë gjatë LDB dhe kjo mund t’i tingëllojë shumë e bukur për të qenë e vërtetë shumëkujt që nuk e njeh popullin hebre. Kjo mund t’i duket si retorikë shumëkujt që nuk e ka idenë se çfarë do të thotë për hebrenjtë e sotëm dhe çfarë do të thotë ndihma e gjithsekujt në atë kohë ndaj qoftë edhe një hebreu të vetëm, por për të gjithë ata që e dinë se çfarë thellësie ka në shpirtin e popullit të Izraelit dhe çfarë vendi të veçantë ka në mendjen e popullit të Izraelit holokausti, dhembjet e holokaustit dhe gjithë ai pak solidaritet që hebrenjtë gjetën në një kohë kur shumica dërrmuese në të gjitha venet, i trajtoi si “mish për top” është absolutisht kështu dhe vetëm kështu, një partneritet nga i cili, ne kemi oportunitetin të mësojmë shumë gjëra që përndryshe do t’i mësonim, por do të na duhej shumë kohë dhe do të na duhej të bënim shumë gabime, dhe nga ana tjetër që t’i japim, jo vetëm shqiptareve, por në të gjithë rajonin mundësinë e një realiteti të shërbimit publik shëndetësor vërtetë ekselent.
Ndërkohë që, puna me onkologjikun do të fillojë konkretisht nga sot dhe do të ketë një person të dedikuar këtu nga spitali Sheba. Është Nama aktualisht, por është çështje e tyre se si do të organizohen për të t’ua lënë vendit njeri-tjetrit, por paralelisht ne po diskutojmë më lidershipin e spitalit për planin përgjithshëm strategjik të zhvillimit të spitalit dhe kemi rënë dakord që qeveria do t’i përkushtohet planit në mënyrë serioze sepse në fund të ditës, ai plan ka dhe një faturë. Nuk është thjesht çështje qëllimesh të mira, por ka dhe një faturë dhe ne do të bëjmë gjithçka si qeveri , që atë faturë ne ta përballojmë sepse realisht tani që kemi kaluar fazën e rrënimit të qendrës, ju e dini shumë mirë, dhe që nga pikëpamja e infrastrukturës po mbyllen kantieret me godinat e fundit që janë në procese ndërtimi apo rindërtimi, na duhet të hyjmë dhe të punojmë shumë më tepër dhe t’i kushtojmë shumë më tepër burimeve njerëzore dhe kjo nuk është thjesht çështje pagash dhe teknologjisë. Do ta bëjmë QSUT në këto 5 vite të ardhshme një qendër ekselence teknologjike.
Ky është objektivi dhe duke pasur se çfarë unë mësova nga diskutimi i gjatë me profesor Kreiss dhe me kolegët e tij, kjo është plotësisht e mundur sepse shumë gjëra që i kanë në spitalin e tyre ata mund t’i vënë në dispozicionin tonë dhe nga ana tjetër, edhe në aspektin e gjithë procesit të organizimit për barnat, për blerjet e barnave, për menaxhimin e barnave, ne do të krijojmë një praktikë shumë të mirë ndërkombëtare këtu falë mbështetjes së tyre dhe ajo që tha ministrja është shumë e vërtetë. Ne e kemi dhjetëfishuar fondin për barnat që përdoren në Onkologjik, për shembull, ashtu sikundër kemi shumëfishuar fondin për barnat e rimbursueshme e të tjera e të tjera që të mos ju lodh sepse ju e dini më mirë se të gjithë sepse keni qenë këtu një pjesë e madhe kur edhe aspirinat merreshin me vete nga shtëpia, por problemi me distributorët e mëdhenj mbetet një problem dhe partneriteti me spitalin në Izrael do të na lehtësojë shumë sepse ne mund të marrim pjesë bashkërisht në procese prokurimesh dhe në procese blerjesh, që ne duke qenë një partner i vogël edhe nga pikëpamja sasiore, do të kemi një përfitim shumë më të madh dhe do të mund të kursejmë shumë të ardhura dhe patjetër do të sigurojmë një transparencë totale të të gjithë procedurave.
Pra, është një transformim i plotë dhe ky, në njëfarë mënyrë, është një bashkadministrim për t’i krijuar mundësitë që në 5 vitet e ardhshme ne ta krijojmë këtu kulturën e menaxhimit të një spitali, të një kompleksi spitalor siç është ky sepse nuk është një spital, por është një kompleks.
Dua t’i shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të gjithë miqve izraelitë. Dua të citoj në mënyrë të veçantë, unë nuk i kam shumë qejf këto falënderimet për ambasadorët, për shumë ambasadorë këtu por realisht sepse është kështu, dua t’i shpreh një mirënjohje të veçantë ambasadores së Izraelit e cila është këtu e pranishme dhe vërtetë ka qenë një garanci për projektin pasi sapo të mësojnë shqipen këta do të na duhet gjithmonë një ndërmjetës dhe me thënë të drejtën gjuhën e kanë pak si të vështirë për ta mësuar ne, kështu që deri atëherë do të na duhet ndihma e ambasadores.
Shumë faleminderit dhe shumë faleminderit juve për durimin e vëmendjen. Më e mira është e gjitha përpara për Qendrën Spitalore Universitare.
Top Channel