Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, dënohet me një vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje

24/01/2025 13:45

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është shpallur fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Po ashtu, atij i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.

Fajtor u shpall edhe Blerim Xhamani, që u dënua me një vit burg për korrupsion dhe për falsifikim. Ndërsa, Isuf Tosku u dëua me tetë vite heqje lirie, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, iu caktua shërbim prove.

Hetimet e SPAK: 

Memolla u gjykua për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, në zgjedhjet e 6 marsit të vitit 2022.

Kryebashkiaku u dërgua në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehurit e tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA