Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen mori OK-in e ambasadorëve të Bashkimit Europian për postin e të dërguarit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
I zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, Sorensen zëvendëson në këtë pozicion Mirosllav Lajçakun, dhe pas pëlqimit final të ministrave të jashtëm të BE-së, pritet ta nisë mandatin e tij nga fillimi i shkurtit. Zyrtarisht, mandate i Lajçak, përfundon në 31 janar.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së dhe aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Duket se ai është njohës i mirë i problematikeve të Ballkanit Perëndimor, ku gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, ka ushtruar disa detyra, pasi ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë e ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.
Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci. Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.
Top Channel