Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të vizitojë Panamanë gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë SHBA-së, sipas Reuters, teksa Presidenti Donald Trump kërkon me ngulm të marrë përsëri Kanalin e Panamasë nën kontroll.
Rubio pritet të udhëtojë në fillim të muajit shkurt, duke bërë ndalesa në Guatemalë, Republikën Domenikane, Kosta Rika dhe El Salvador.
Planifikimi është ende në vazhdim dhe itinerari i Sekretari të Shtetit mund të ndryshojë.
Trump ka akuzuar Panamanë për thyerjen e premtimeve që ka bërë kur ju dha kanali në vitin 1999 duke pretenduar se ja ka dorëzuar atë Kinës, akuza që qeveria e Panamasë i ka mohuar.
“Ne nuk ia dhamë Kinës. Ne ia dhamë Panamasë dhe po e marrim përsëri” tha Trump në fjalimin e tij inaugurues të hënën.
Presidenti Jose Raul Mulino u përgjigj në një postim në X të hënën duke thënë se Kanali i Panamasë është dhe do të vazhdojë të jetë panamez”. Panamaja ka paralajmëruar gjithashtu Kombet e Bashkuara për komentet e Trump.
Kanali është një rrugë ujore prej 82 km që lidh Oqeanin Paqësor dhe Atlantik përmes Panamasë dhe është shumë i rëndësishëm për importet amerikane të makinave, mallrave komerciale nga anijet me kontejnerë nga Azia dhe për eksportet amerikane të mallrave, duke përfshirë gazin natyror.
Shtetet e Bashkuara ndërtuan kanalin dhe administruan territorin që e rrethonte për dekada me radhë. SHBA dhe Panamaja nënshkruan një marrëveshje në vitin 1977 që hapi rrugën për kthimin e kanalit në kontrollin e plotë të Panamasë dhe Uashingtoni e dorëzoi atë në 1999 pas një periudhe administrimi të përbashkët.
Top Channel