Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, trakeotomisë, pasi përpjekjet e ekipit të specialistëve që e ndiqnin atë për ta shkëputur nga intubimi, ishin të pasuksesshme.
Hirësia e tij Anastas është shtruar prej 20 ditësh në spitalin Evangelismos të Athinës dhe ka qëndruar në intubim për më se 15 ditë, pas një ndërhyrje kirurgjikale për ndalimin e një hemorragjie të brendshme .
Por, sipas të njëjtave burime, përpjekjet e mjekëve për ta shkëputur nga aparati i intubimit kanë rezultuar të pasuksesshme, ndaj pas konsultimeve kanë konkluduar t’i bëjnë trakeotomi. Bëhet fjalë për një procedurë mjekësore, që cilësohet si më se e nevojshme nga mjekët për rastet e intubimeve që tejkalojnë periudhën ditore prej dy javësh, dhe për të minimizuar rreziqet që vijnë prej tij.
Peripecia shëndetësorë e hierarkut 95 vjeçar, Fortlumturisë së tij, Anastasi, ka filluar që prej 30 Dhjetorit të 2024 kur është shtruar në fillim në spitalin e Tiranës, me simptoma të infeksionit të rëndë. Ndërsa në 3 janar pasi gjendja e tij shëndetësorë u përkeqësua u transferua me një avion special në Athinë, në spitalin Evangelismos.
Më 10 janar dhe pas përkeqësimit të një hemorragjie gastrike, ai iu nënshtrua një operacioni dhe u intubua. Gjendja e tij ishte cilësuar kritike, por e qëndrueshme nga ekipi i mjekëve që e trajtojnë , të udhëhequr nga profesoresha e Mjekimit Intensiv, zonja Anastasia Kotanidou.
Top Channel