“Jemi përballur me sfida”/ Nënshkrimi i Marrëveshjes mes BSH dhe Bankës Evropiane të Investimeve, Sejko: Bashkëpunimi me EIB, thelbësor

23/01/2025 17:19

Është zhvilluar ditën e sotme Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve.

Gjatë fjalës së tij kreu i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u ndal në disa pika të rëndësishme që lidheshin me një analizë në sektorin bankar, teksa tha se BSH ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të përpjekjeve për të integruar financat e gjelbra dhe për të ndërtuar një sistem financiar që përballon sfidat klimatike dhe mbështet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Sipas tij strategjia e Gjelbër Afatmesme, e miratuar në 2023, është një reflektim i këtij përkushtimi dhe një udhërrëfyes për arritjen e objektivave tanë në këtë kuadër.

“Gjatë vitit 2024, kemi ndërmarrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur, si dhe hartimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike, i cili krijon një kornizë të qartë për bankat që t’i integrojnë këto rreziqe në sistemet e tyre të menaxhimit të rrezikut.
Këta janë hapa tejet të rëndësishëm drejt një kuptimi më të thellë të ndikimit të klimës në sektorin financiar dhe drejt zhvillimit të masave të përshtatshme për të adresuar sfidat e së ardhmes”, theksoi Sejko.
Më tej Guvernatori u shpreh se edhe pse ato janë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë për transformimin e sistemit tonë financiar, në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerë strategjikë ndërkombëtarë është jetik.

“Bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve është thelbësorë për të avancuar në tranzicionin tonë të gjelbër. Përmes Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-ve, ne do të zhvillojmë një taksonomi të gjelbër dhe do të forcojmë kuadrin rregullator për adresimin e rreziqeve klimatike. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.

Në këtë pikë, më lejoni të ndalem edhe te rëndësia e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Si një vend në proces integrimi në BE, harmonizimi i kuadrit tonë ligjor dhe rregullator me direktivat evropiane për financat e qëndrueshme është një prioritet për ne. Marrëveshja që nënshkruajmë sot është një hap konkret në këtë drejtim. Ajo reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem financiar në harmoni me praktikat më të mira evropiane dhe që ndihmon në arritjen e objektivave strategjikë të vendit.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe për promovimin e financave të qëndrueshme. Puna e përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që sjell përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe mjedisin tonë.

Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Bankës Evropiane të Investimeve për mbështetjen dhe angazhimin e tyre. Dua gjithashtu të falënderoj ekipet e të dy institucioneve që kanë punuar për këtë marrëveshje, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre”, u shpreh ai.

Sejko vuri theksin te Bashkëpunimi me EIB, të cilin e quajti është thelbësor për t’u përballur me sfidat globale të klimës dhe “për të siguruar që Shqipëria të ketë një sistem financiar që jo vetëm përballon vështirësitë, por edhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm. Jam i bindur se ai do të sjellë rezultate konkrete dhe do të kontribuojë ndjeshëm në realizimin e objektivave tanë për një ekonomi të qëndrueshme dhe rezistente ndaj sfidave klimatike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA