Në një reagim për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu pas publikimit të lajmit për shpalljen non grata të dy shtetasve shqiptarë nga Serbia, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme tregon veprimet e ndërmarra për këtë rast.
Në reagim pas kërkesës së Top Channel thuhet:
“Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević.
Gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd.
Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd.
Top Channel