Shteti i Serbisë është duke u angazhuar për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, më 9 shkurt.
Në këtë proces është përfshirë edhe Komisariati për Refugjatë dhe Migrim, që është organizatë shtetërore në këtë vend. Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.
Ndërkohë, më 21 janar, Partia Përparimtare Serbe (SNS), që ka pushtetin në Serbi, ka mbështetur publikisht Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe ka bërë thirrje që të votohet për të. Me zgjedhjen e saj sigurohet mbrojtja e popullit serb në Kosovë, ka thënë kryeministri i Serbisë dhe udhëheqësi i SNS-së, Millosh Vuçeviç.
Të zhvendosurit nga Kosova ndajnë mendime të ndryshme për çështjen e votimit dhe të përkrahjes së Listës Serbe, ndërsa opsionet e tjera politike serbe në Kosovë u bëjnë thirrje atyre që të mendojnë “për ata që jetojnë në Kosovë”.
“Do t’i bindemi shtetit”
Dragisha Stanojeviç nga Prizreni, i cili është zhvendosur në Beograd që nga viti 1999, planifikon t’i përgjigjet thirrjes së Komisariatit për Refugjatë të Republikës së Serbisë dhe të votojë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt.
Motiv i tij, siç thotë, është “përmirësimi i të drejtave të serbëve në Kosovë” dhe sigurimi i “qëndrimit dhe mbijetesës së tyre” – gjë për të cilën apelon edhe Komisariati për Refugjatë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Stanojeviç thotë se udhëhiqet nga politika e Beogradit zyrtar, i cili e mbështet ekskluzivisht Listën Serbe.
Kjo parti është më e madhja e serbëve në Kosovë dhe është formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, përkatësisht të SNS-së.
Stanojeviç thotë se do t’i bindet thirrjes së kryeministrit serb, ndonëse thekson se “askush nuk i ka sugjeruar se për kë të votojë”.
“Unë besoj se Lista Serbe, aktualisht, mbledh njerëzit më të mirë, se shumica e serbëve atje poshtë [në Kosovë] qëndrojnë prapa saj dhe, natyrisht, shteti i Serbisë qëndron pas saj”, thotë Stanojeviç.
Deputetët e Listës Serbe, që nga nëntori i vitit 2022, nuk kanë marrë pjesë aktive në punën e Kuvendit të Kosovës, për shkak të, siç e kanë cilësuar, “politikës së bojkotit”.
Atëkohë, përfaqësuesit serbë kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke kundërshtuar kështu vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Për të mos i humbur mandatet dhe pagat, deputetët serbë kanë shkuar në Kuvend çdo gjashtë muaj vetëm për t’u nënshkruar.
“Të zhvendosurit duhet të mendojnë për njerëzit që jetojnë në Kosovë”
Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Demokracia Serbe, Iniciativa Qytetare Drejtësia Popullore, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Lëvizja Popullore Serbe.
Branimir Stojanoviç nga Lëvizja Popullore Serbe thotë se SNS-ja do t’i shfrytëzojë të gjitha resurset për të dërguar në Kosovë njerëz, të cilët do ta mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai thotë se serbët e zhvendosur nga Kosova, sigurisht që duhet ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, por shton se “duhet të mendojnë me kujdes për ata që jetojnë në Kosovë”.
“Bëhet fjalë për jetën tonë dhe për ata që duhet të flasin në emrin tonë”, thotë Stojanoviç.
Pjesëtarë të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, me të cilët Radio Evropa e Lirë ka biseduar më 14 janar, kanë thënë se vota e tyre do t’i shkojë partisë që mund t’u sigurojë paqe, siguri, punësim të barabartë dhe luftë institucionale për realizimin e të drejtave të tyre.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), rreth 200.000 njerëz janë zhvendosur nga Kosova në Serbi ndërmjet viteve 1999 dhe 2004.
Stojanoviç shpreson se ata që vendosin të votojnë në zgjedhjet e Kosovës, do të mendojnë mirë se për kë do të votojnë, sepse, siç thotë, “një numër i njerëzve janë larguar nga Kosova viteve të fundit pikërisht për shkak të politikave të Listës Serbe”.
Mbështetjen publike të SNS-së për Listën Serbe, ai e sheh si “vazhdim të praktikës së vjetër” dhe thotë se kjo parti “ka marrë përgjegjësinë politike për të gjitha vendimet e Listës Serbe”.
Për Aleksandar Arsenijeviçin, udhëheqësin e Demokracisë Serbe, mbështetja e SNS-së për Listën Serbe nuk është e befasishme.
“Krejt e pritshme. Beogradi zyrtar nuk e ka kuptuar ende se Lista Serbe është kërcënim për të po aq sa edhe për ne”, thotë Arsenijeviç për Radion Evropa e Lirë.
Transport i organizuar, dreka e pije freskuese…
Dragica Gjorgjeviç, aktiviste e grupit joformal “Mbështetje për gratë e zhvendosura nga Kosova”, e cila aktualisht jeton në Arangjellovac të Serbisë, nuk ka vendosur ende nëse do të votojë në zgjedhjet e Kosovës më 9 shkurt.
Ajo thotë se serbët nga Kosova, të cilët jetojnë si të zhvendosur në Serbi, janë “harruar plotësisht”, dhe shton se shumica e bashkatdhetarëve të saj, besojnë se zgjedhjet e ardhshme nuk do të ndryshojnë asgjë kur bëhet fjalë për pozitën e serbëve në Kosovë.
“Prandaj, sipas asaj që di dhe dëgjoj, shumica e popullit tonë është më afër opsionit për të mos votuar, pavarësisht se është paralajmëruar se do të organizohet transport nga disa qytete të Serbisë dhe se njerëzit që vendosin të shkojnë në qendrat e votimit, do të kenë drekë të paketuar e pije freskuese”, thotë Gjorgjeviç.
Edhe disa të zhvendosur nga Kosova në Kragujevc të Serbisë, që janë intervistuar nga ekipi i Radios Evropa e Lirë, por që duan të mbeten anonimë, thonë se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Beogradit për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, sepse “nuk ka kushte për një gjë të tillë”.
“Asgjë e mirë nuk mund të pritet nga këto zgjedhje”, është një prej përgjigjeve të serbëve të zhvendosur në Kragujevc – qytet në Serbinë qendrore.
Sa dinë serbët e zhvendosur për situatën në Kosovë?
Dragisha Stanojeviç, i cili ka më shumë se dy dekada që jeton në Beograd si person i zhvendosur, beson se është i mirinformuar për ngjarjet në Kosovë, për të cilat, siç thotë ai, më së shumti mëson përmes mediave në Serbi.
“Unë e di që situata aktuale është shumë e ndërlikuar. E di që autoritetet shqiptare po i terrorizojnë serbët dhe institucionet e Serbisë që kanë mbetur atje poshtë. Paralelisht, qëllimisht dhe sistematikisht, po punojnë për t’i dëbuar serbët nga Kosova”, thotë ai.
Zyrtarë të lartë të Listës Serbe flasin vazhdimisht për “terror” dhe “persekutim” nga autoritetet kosovare, të udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti.
“Gjithçka që ka bërë Kurti, e ka bërë për të shkatërruar Listën Serbe dhe popullin serb”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Radio-Televizionin e Serbisë më 5 janar.
Atëkohë, ai gjithashtu ka thënë se vota për Listën Serbe do të thoshte “mbijetesë në vatrën e vet”.
Një tjetër i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, i cili që nga viti 1999 jeton në Smederevë të Serbisë si i zhvendosur nga Rahoveci i Kosovës, thotë se është i informuar mirë për situatën dhe “anën politike të zgjedhjeve” përmes mediave, por jo edhe për detajet teknike dhe kushtet në të cilat mund të votojë më 9 shkurt.
Çfarë thonë nga Komisariati për Refugjatë dhe Migrim në Serbi?
Komisariati për Refugjatë dhe Migrim, në emër të Republikës së Serbisë, u ka dërguar thirrje personave të zhvendosur nga Kosova që të votojnë në zgjedhjet e planifikuara për 9 shkurt në Kosovë, duke theksuar se të interesuarit mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës vetëm nëse posedojnë letërnjoftim të vlefshëm, të lëshuar nga autoritetet e Kosovës.
“Për të gjithë të interesuarit do të organizohet transport me autobus drejt vendvotimeve në Kosovë dhe Metohi. Qytetarët e interesuar mund të aplikojnë deri në datën 8 shkurt”, thuhet ndër të tjera në thirrje.
Aty, po ashtu, theksohet se informacionet më të detajuara mund të merren përmes një linje telefonike pa pagesë.
Radio Evropa e Lirë pyeti Komisariatin nëse ka të interesuar dhe nëse atyre u sugjerohet se për kë të votojnë, por nuk mori përgjigje.
Komisionerja për Refugjatë dhe Migrim e Republikës së Serbisë, Natasha Stanisavleviç, ka thënë për Radio-Televizionin e Serbisë më 20 janar, se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë janë të një rëndësie të madhe “për mbijetesën e popullit serb në atdheun e tyre shekullor” dhe se është e rëndësishme që “bashkatdhetarët tanë ta ushtrojnë të drejtën e votës”.
“Një numër i caktuar i bashkatdhetarëve tanë kanë kontaktuar Komisariatin për Refugjatë dhe Migrim. Ata janë interesuar nëse ne mund të ndihmojmë në organizimin e transportit me autobus. Sigurisht që mundemi dhe këtë po e bëjmë në bashkëpunim me autoritetet tona lokale në Serbi dhe në bashkëpunim me Zyrën për Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Stanisavleviç.
Janjiç: Për shkak të qëndrimit të Beogradit, Komisariati mund të kontribuojë në përçarje
Dushan Janjiç nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike thotë se thirrja e Komisariatit për Refugjatë, në rrethana të tjera, mund të shihej si “nxitje” për pjesëmarrje më të lartë të serbëve në zgjedhjet e Kosovës, por për shkak të qëndrimit zyrtar të Beogradit se ai mbështet vetëm Listën Serbe, mund të kontribuojë në “përçarje mes komunitetit serb”.
Janjiç, megjithatë, nuk beson se pjesëmarrja e personave të zhvendosur do të jetë e madhe dhe se votat e tyre do të ndikojnë dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve.
“Ata që kanë dokumente të Kosovës, do të shkojnë. Votimi me postë nuk ekziston më, ndaj shkuarja fizike është e pashmangshme. Më herët, personat e zhvendosur kanë votuar në komunat në këtë anë të kufirit apo vijës administrative. Për shumë njerëz, shkuarja në Kosovë është një udhëtim drejt së panjohurës, kështu që nuk pres shumë interesim”, thotë ai.
Procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë territorit të Kosovës, ka filluar më 9 janar dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt.
Kjo vlen edhe për shtetasit kosovarë të nacionalitetit serb që jetojnë jashtë Kosovës, por votat nga Serbia nuk mund të arrijnë drejtpërdrejt në Kosovë, sepse dy postat nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Si është votuar më herët?
Votat me postë nga Serbia në Kosovë deri më tani kanë mundur të mbërrijnë vetëm përmes “transitit”, përkatësisht përmes Postës në Maqedoninë e Veriut, me të cilën Kosova ka marrëveshje të vlefshme për dërgesat.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në tetor të vitit 2019, një kuti me zarfe me mbi 3.500 fletëvotime nga Serbia i është dorëzuar postës në Prishtinë nga zyrtari ndërlidhës i Serbisë me Kosovën, Dejan Paviqeviç.
Këto vota, megjithatë, janë anuluar, për shkak se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i Kosovës ka konstatuar se ato nuk kanë mbërritur në Kosovë përmes postës, por se i janë dorëzuar postës – gjë që ka qenë në kundërshtim me rregullat zgjedhore për votim jashtë Kosovës.
Në vitet e kaluara, edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë për zhvillimin e zgjedhjeve, gjegjësisht ka luajtur rolin e ndërmjetësit.
Ky mision ende mund të ofrojë ndihmë për zgjedhjet e Kosovës, por vetëm me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – gjë që nuk ka qenë praktikë në proceset e fundit zgjedhore./REL
Top Channel