Forcohen marrëdhëniet mes presidentit kinez Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin, vetëm disa orë pas inaugurimit të Donald Trump si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Xi u zotua të çojë lidhjet e vendit të tij me Rusinë në një nivel të ri këtë vit në një video-konferencë me homologun e tij Putin.
Të dy liderët e kanë bërë traditë të përvitshme të flasin rreth vitit të ri, një tipar i një raporti të ngushtë personal që ka ndihmuar në partneritetin midis vendeve të tyre që është rritur vetëm ndërsa Putini bën luftë kundër Ukrainës.
Xi shprehu gatishmërinë e tij për “të udhëhequr marrëdhëniet Kinë-Rusi në një lartësi të re” dhe t’i përgjigjet “pasigurive të jashtme” me “stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e lidhjeve Kinë-Rusi.
“Të dy vendet duhet të thellojnë koordinimin strategjik dhe bashkëpunimin praktik dhe të mbështesin në mënyrë të vendosur njëri-tjetrin”, i tha Xi presidentit rus.
“Ne qëndrojmë të bashkuar për një rend botëror më të drejtë shumëpolar dhe punojmë për të garantuar siguri të pandashme si në hapësirën euroaziatike ashtu edhe globalisht. Përpjekjet e përbashkëta të Moskës dhe Pekinit luajnë objektivisht një rol të madh stabilizues në çështjet ndërkombëtare”, i tha Putin Xi-t.
Thirrja mes dy liderëve vjen teksa të dy vëzhgojnë nga afër kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Të dy udhëheqësit kanë shprehur publikisht dëshirën për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara me SHBA nën administratën e re. Trump ka sinjalizuar gjithashtu interes për t’u angazhuar ose për t’u takuar me të dy liderët në fillim të presidencës së tij, megjithëse është ende e paqartë se sa e afërt ose e ashpër do të jetë administrata e re ndaj secilit nga rivalët amerikanë.
Top Channel