Kristjan Marku është një emër i njohur në Rrëshen, kryesisht për shkak të origjinës së tij, fisit Bardhi dhe armiqësisë së betuar me familjen Reçi.
Armiqësi që ka shkaktuar viktima të shumta dhe një sagë vrasjesh që vazhdon sot e kësaj dite. Kundërshtarët, dyshonin se i ndjeri ishte aktiv në planet hakmarrëse ndaj fiseve rivale. 30-vjeçari kishte krijuar jetën e tij familjare. Jetonte me partneren në Tiranë. Ishte baba i një fëmije të mitur.
Megjithatë, ka informacione se i riu kishte miqësi dhe me elementë të përmendur të botës së krimit.
Pas krimit, prokuroria e Vlorës mori kontakt me organin e akuzës në Mirditë, duke shkëmbyer informacion në kohë reale. Ka informacione se në Vlorë, ai kishte miqësi me Inez Hajrullën, një prej të fortëve të zonës që trashëgon drejtimin e grupit të Edison Harizajt. I forti i Vlorës i ekzekutuar në Durrës në vitin 2018. Vetë Hajrulla i ka shpëtuar disa atentateve. Në një rast, një sasi eksplozivi shpërtheu në mjetin me të cilin udhëtonte, duke e lënë invalid.
‘Krimi bashkëpunon, ka ndërlidhje ndërmjet tyre. Në momentin kur cënohen interes të caktuara ndërmjet anëtarëve të grupeve kriminale automatikisht prishja e këtyre raporteve sjell pastaj armiqësi ndërmjet palëve’ u shpreh Alfred Bari, avokat.
‘Realisht teoria e grupit kriminal, nënkupton faktin se duke qenë një formë e lartë bashkëpunimi, nuk krijohet vetëm për të kryer një vepër penale, por krijohet për të kryer disa vepra penale dhe patjetër që ato të jenë të rënda’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Së fundi, saga e hakmarrjeve është rindezur mes grupeve të Vlorës. Por, nuk dihet nëse viktima nga Mirdita ishte implikuar në përplasjet e bandave në zonën ku atij iu bë atentat. Përplasja mes grupeve të Inezit dhe atij të vëllezërve Sinomati është e njohur në qytetin bregdetar por asnjë ngjarje nuk është zbardhur.
Por, le të kthehemi te ngjarja e Novoselës. Pavarësisht miqësive të viktimës në zonë, nuk ka asnjë informacion për përzierjen e Kristjan Bardhit alias Markut në përplasjet mes grupeve atje.
Kjo ka bërë që Prokuroria e Vlorës, të fokusohet fort në të shkuarën e viktimës, përplasjet e familjarëve të tij në vendlindje, në Rrëshen. Ajo që po verifikohet janë dyshimet se dikush e nxori në pritë. Prokuroria ka dërguar për ekspertizë telefonin e viktimës. Pritet zbardha e plotë dhe përftimi i komunikimeve të vjetra për të kuptuar më tepër rreth kontakteve të tij.
Top Channel