Pas gjithë këtyre viteve, ku shumë mendonin se dy fiset kishin gjetur një formë paqeje, e vërteta ishte ndryshe.
Ata jetuan në një heshtje të rrezikshme, duke shmangur konfliktet, por pa harruar asnjëherë pasojat që kishte lënë ngjarja tragjike e tri dekadave më parë. Ajo heshtje nuk do të zgjaste përgjithmonë. Tensioni i akumuluar shpërtheu më 26 mars të vitit 2023 kur u plagos Saimir Reçi. Atë ditë, dy familjet do dilnin hapur kundra njëra-tjetrës.
Pakti i heshtur u shkel nga të rinjtë. Një ngjarje që u duk mëse banale , rezultoi që ishte e mirëorganizuar nga Erind Bardhi… Referuar dosjes hetimore, Saimir Reçi që shpëtoi mrekullisht, dëshmon se disa persona të panjohur po filmonin banesën e tij. Kjo e vuri në alarm nisur nga hasmëritë e familjes.
“Në lagje pashë një automjet ‘Mercedes Benz’ 220, të drejtuar nga F.LL, djali i një punonjësi policie. Në sediljen e pasme, ishte një shtetas tjetër, i cili mbante një aparat celular, ku po filmonin banesën time”
Pas këtij momenti, Reçi ndoqi fqinjin e tij dhe pasi e ndaloi në rrugë, e qëlloi me shuplakë. Në këtë moment, nga automjeti del edhe Enrik Bardhi alias Marku, djali i Martin Bardhit. Sipas dëshmisë së Reçit, edhe këtë të fundit ai e ka goditur duke i shkaktuar disa plagë.
‘Për mua incidenti që ka ndodhur me Sajmirin mund të ishte mbyllur edhe me normalizim marrëdhëniesh midis palëve, pra duhet të kishin pasur dashamirësi palët mund të ishin mbyllur sepse ka qenë një incident i momentit, një konflikt që ka ndodhur më parë në rrugë midis Sajmirit dhe djalit të Martinit, dhe ajo që ndodhi më vonë atentati ndaj tij’ u shpreh avokati, Aleksander Ndrejaj.
Disa orë më vonë, Saimir Reçi u përball me anëtarë të familjes Bardhi, të cilët i kishin ngritur një kurth. Ata i bënë pritë në qendër të qytetit dhe hapën zjarr drejt tij. Reçi shpëtoi mrekullisht falë veturës së blinduar me të cilën lëvizte.
“Kam dal me automjetin BMW seria 7, ndala përpara lokalit ‘Filopati’ dhe kërkova të blija një fishë telefoni. Atëherë, një automjet Audi A8 më bllokoi rrugën. Nga ai mjet zbritën Martin Bardhi, Kristian Bardhi dhe Erind Bardhi, të cilët mbanin armë në duar.”
“Objektivi i sulmit ka qenë me fat. Qitësi ka pasur precizion të lartë, duke qëlluar disa herë në xhamin e shoferit”.
Top Channel