Trump kërkon të rikthejë kanalin e Panamasë nën kontrollin e SHBA-së, reagime të shumta në vendin e Amerikës Latine: Është për të ardhur keq!

21/01/2025 21:30

Këmbëngulja e presidentit amerikan Donald Trump të hënën se ai dëshiron të rikthejë Kanalin e Panamasë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ngjalli ndjenja nacionaliste dhe shqetësim në Panama, ku ndodhet kjo rrugë kritike tregtare.

Ky vend ka përvojë me ndërhyrjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

“Anijet amerikane po paguajnë tatime të rënda dhe nuk trajtohen në mënyrë të drejtë. Në të njejtën mënyrë po trajtohet edhe Marina e Shteteve të Bashkuara. Mbi të gjitha, Kina po operon Kanalin e Panamasë”, tha Presidenti Trump të hënën.

Në rrugët e kryeqytetit të Panamasë, disa banorë i panë komentet e Presidentit Trump si një mënyrë për të ushtruar trysni ndaj Panamasë për diçka tjetër që ai dëshiron: kontroll më të rreptë të emigracionit përmes pikës Darien Gap. Të tjerë kujtuan me shqetësim pushtimin amerikan të Panamasë në vitin 1989.

Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, u përgjigj me forcë të hënën, siç bëri pas deklaratës fillestare të zotit Trump muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderojnë rimarrjen e kanalit, duke thënë se kanali i përket vendit të tij dhe do të mbetet territor i Panamasë, një vend me rreth 4 milionë banorë.

Luis Barrera, një shofer taksie 52-vjeçar, tha se Panamaja ka luftuar shumë për të rimarrë kontrollin e kanalit dhe e ka zgjeruar atë që kur mori kontrollin e tij.

“Ndihem vërtet keq sepse kjo situatë më duket e ngjashme me atë të një personi të rritur që i merr një karamele një fëmije të vogël”, tha zoti Barrera.

Në një tubim në Feniks të Arizonës në dhjetor, zoti Trump tha se ai mund të përpiqet të rimarrë kanalin. Dorëzimin e kanalit nga Uashingtoni ai e quajit një veprim “të pamenduar”. Ai u ankua se Kina po vendos tarifa të larta ndaj anijeve të transportit të mallrave, që përdorin rrugën detare më të shkurtër mes Oqeanit Paqësor dhe Oqeanit Atlantik.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për ta rimarrë Kanalin e Panamasë.

Shtetet e Bashkuara e ndërtuan kanalin në fillim të viteve 1900, ndërsa kërkonin mënyra për të lehtësuar tranzitin e anijeve tregtare dhe ushtarake midis brigjeve të saj. Uashingtoni hoqi dorë nga kontrolli i rrugës ujore në Kanalin e Panamasë më 31 dhjetor 1999, në bazë të një traktati të nënshkruar në vitin 1977 nga Presidenti Jimmy Carter.

Kanali është një pikë krenarie për panamezët. Më 31 dhjetor, ata festuan 25-vjetorin e marrjes së kontrollit të Kanalit të Panamasë dhe më vonë përkujtuan 21 panamezë që vdiqën në përleshjet me ushtrinë amerikane dekada më parë.

Më 9 janar 1964, nxënësit protestuan në zonën e kanalit që në atë kohë kontrollohej nga Shtetet e Bashkuara kundër një vendimi për të mos lejuar ngritjen e flamurit të Panamasë në një shkollë të mesme atje. Protestat u zgjeruan dhe përfshinë thirrjet kundër pranisë së Shteteve të Bashkuara në Panama, duke shkaktuar ndërhyrjen e ushtrisë amerikane ndaj protestuesve. Një grup protestuesish këtë vit dogjën një figurë që i ngjante zotit Trump.

Administratori i kanalit, Ricaurte Vásquez, tha këtë muaj se Kina nuk është në kontroll të kanalit dhe se të gjitha vendet trajtohen në mënyrë të barabartë, bazuar në një traktat neutraliteti.

Ai tha se kompanitë kineze që operojnë në portet në të dy skajet e kanalit janë pjesë e një konsorciumi nga Hong Kongu, që fitoi një tender në vitin 1997. Ai shtoi se kompanitë amerikane dhe tajvaneze operojnë në porte të tjera përgjatë kanalit.

Më 20 dhjetor 1989, ushtria amerikane ndërhyri në Panama në përpjekje për të rrëzuar diktatorin Manuel Noriega. Rreth 27,000 trupa u dërguan nga Presidenti i atëhershëm George H.W. Bush për të kapur diktatorin Noriega, për të mbrojtur amerikanët që jetonin në Panama dhe për të rivendosur demokracinë në vendin që një dekadë më vonë do të merrte kontrollin e Kanalit të Panamasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA