Mes urdhrave ekzekutivë që Donald Trump firmosi me të marrë detyrën, ishte dhe ai që parashikonte pezullimin e të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë.
Argumenti i ofruar për një lëvizje të tillë ishte se këto ndihma do të shqyrtohen me kujdes për të parë nëse janë në përputhje me objektivat e tij politike.
Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende, thotë REL që pyeti Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parashikuara për Kosovën, por për momentin nuk ka marrë përgjigje.
Që nga viti 1999, SHBA rezulton të ketë shepnzuar mbi një miliard dollarë për zhvillimin e Kosovës. Javën e kaluar, sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu tha anëtarëve të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigjen ndaj tri pyetjeve të thjeshta”.
“A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të pasur?”, tha ai. Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e lë në dorë të Rubios ose përfaqësuesit të tij për të përcaktuar se nëse një ndihmë është në përputhje me politikat apo jo, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.
Top Channel