Më të pasurit e botës po pasurohen me ritme frikësuese: Pasuria e tyre rritet deri në 100 milionë dollarë në ditë, thotë DW, ndërsa në anën tjetër, varfëria thellohet.
Në prag të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Oxfam njofton se gjatë vitit që shkoi, numri i pasanikëve në botë është shtuar me 204 miliarderë të rinj.
Pasuria e tyre totale është rritur nga 13 trilionë dollarë në 15 trilionë dollarë në 2024, pra brenda nje viti te vetem. Nga ana tjeter, 733 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm – dhe kjo do të thotë 152 milionë më shumë të uritur se në vitin 2019.
Studimi i Oxfam “Takers not Makers” zbulon se aktualisht ka gati 2.800 miliarderë në botë. Pasuria e tyre është rritur tre herë më shpejt në vitin 2024, krahasuar me një vit më parë, me rreth 100 milionë dollarë në ditë. Sipas autorëve të studimit, të pasurit janë përfituesit më të mëdhenj të viteve të krizës. Nga këndvështrimi i kësaj organizate humanitare, hendeku në rritje ka pasoja për gjendjen globale, por edhe për gjendjen në shoqëritë kombëtare. Super të pasurit kanë siguruar me qëllim që strukturat e padrejta të mbeten të qëndrueshme.
“Vendet ekonomikisht të forta në veriun global vazhdojnë të vendosin rregulla, nga të cilat përfitojnë super të pasurit dhe korporatat e tyre,” thuhet në raportin qe e pershkruan këtë si pasojë të kolonializmit. Drejtori ekzekutiv i Oxfam Gjermani, Serap Altinisik, paralajmëron për pasoja negative për demokracitë. “Pasuria shkon paralelisht me pushtetin politik. Këtë e shohim sot me rastin e rikthimit të Presidentit Donald Trump: një president miliarder i mbështetur nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk”, nënvizon ai.
Top Channel