Një grup kriminal që trafikonte kokainë me automjete nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës Qendrore është shkatërruar nga autoritetet italiane.
Deri tani, nga megaoperacioni ‘Icardo.al’, janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë.
Pesë shqiptarë të akuzuar si pjesëtarë të grupit janë lokalizuar dhe arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimin.
Në pranga ranë Igli Dervishi, Shkëlqim Pashja, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha.
Më tej, informacioni i siguruar nga Policia shqiptare, mundësoi kapjen në Spanjë, të një tjetër pjesëtari të grupit, gjithashtu shtetas me precedent penal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.
Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore.
Njoftimi i plotë:
Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”. Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut.
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë.
Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B. Ndërsa arrestimi i M.M., nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u rregjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan.
Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.
Top Channel