Autoritetet franceze kanë dhënë një urdhër të ri arresti për ish-presidentin sirian, Bashar al-Assad
Dy hetues francezë kanë lëshuar një urdhër të ri arresti kundër liderit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad për bashkëpunim të dyshuar në krime lufte, masa e dytë e tillë nga autoritetet gjyqësore të Francës.
Assad, i cili u rrëzua në fund të vitit të kaluar në një ofensivë “të rrufeshme” nga forcat islamike, dyshohet se është përgjegjës për një bombardim në qytetin sirian Deraa në vitin 2017.
Urdhër-arresti u dha pas një hetimi për rastin e vrasjes së Salah Abou Nabout, një shtetas franko-sirian 59-vjeçar, ish-mësues francez, i cili u vra më 7 qershor 2017 pas bombardimit të shtëpisë së tij nga helikopterët e ushtrisë siriane.
Gjykata franceze thotë se Assad urdhëroi dhe siguroi mjetet për këtë sulm, sipas burimit.
“Kjo çështje është kulmi i një lufte të gjatë për drejtësi, në të cilën unë dhe familja ime besuam që në fillim”, tha Omar Abou Nabout, djali i viktimës.
Ai shtoi se shpreson se do ketë një gjyq ku autorët do arrestohen e gjykohen kudo që janë.
Kujtojmë se urdhër-arresti i parë për ish-presidentin sirian nga autoritetet franceze u dha në vitin 2023 për sulmet me armë kimike në vitin 2013 ku humbën jetën më shumë se 1000 persona.
Top Channel