Të paktën 66 të vdekur e me dhjetëra të lënduar është bilanci tragjik i zjarrit që përfshiu një hotel 12 katësh në një resort të njohur skish në veriperëndim të Turqisë.
“Jemi në dhimbje të thellë. Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, pohoi ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, pas inspektimit të vendit të ngjarjes. Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, u shpreh nga ana tjetër se të paktën njëri nga të plagosurit është në gjendje kritike për jetën.
Zjarri në hotelin “Grand Kartal” në resortën “Kartalkaya”, nisi rreth orës 3:30 të mëngjesit në restorantin e strukturës që fasadën e jashtme e kishte prej druri. Shumica e vizitorëve në ato momente kanë qenë në gjumë. Mediat turke citojnë guvernatorin e rajonit Abdulaziz Aydin, të pohojë se në hotel po qëndronin 234 vetë. Të përfshirë nga paniku, një pjesë e tyre kanë lidhur carcafë në përpjekje për të zbritur nga dritaret, ndërsa të paktën 2 nga viktimat kanë ndërruar jetë për shkak të lëshimit nga lartësia. Ende nuk ka të dhëna mbi nënshtetësinë e viktimave.
Dëshmitarët thanë se në momentin që kanë nisur flakët, sistemi i alarmit të zjarrit në hotel nuk funksionoi. Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të drejtuar hetimin mbi zjarrin, i cili ndodhi gjatë pushimeve mes semestrave shkollorë, kohë kjo kur hotelet në rajon janë të mbushura plot.
Top Channel