Meloni dhe liderë të tjerë të ekstremit të djathtë, të ftuar në inaugurimin e Trump/ Analistët: Kryeministrja, ndërlidhësja kryesore e SHBA-së me Europën

19/01/2025 12:32

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump si president i SHBA-ve, duke iu bashkuar figurave të tjera të ekstremit të djathtë evropian, përfshirë Éric Zemmour, një ish-kandidat presidencial francez i njohur për qëndrimet e tij ksenofobike.

Pjesëmarrja e Melonit në ceremoninë e zhvilluar të hënën në Uashington DC u konfirmua nga zyra e saj dhe shihet si një përforcim i mëtejshëm i marrëdhënieve me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve.

Udhëheqësja italiane realizoi një vizitë të shpejtë në klubin e golfit Mar-a-Lago të Trump në Florida në fillim të këtij muaji, gjatë së cilës Trump e përshkroi atë si “një grua fantastike” që “po mahnit Evropën”.

Dyshja u takua për herë të parë në Paris në fillim të dhjetorit për rihapjen e Katedrales Notre Dame. Meloni, e cila drejton partinë “Vëllezërit e Italisë”, me origjina neofashiste, ka qenë prej kohësh një mbështetëse e Trump. Para se të vinte në pushtet në tetor 2022, ajo udhëtonte rregullisht në tubimet e tij politike dhe lavdëronte politikat e tij si një model për Italinë.

Ajo gjithashtu tregoi zgjuarsi në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Joe Biden dhe forcimin e kredencialeve atlantike të Italisë, thotë The Guardian. Gjatë një konference të fundit për shtyp, ajo tha se kishte një “marrëdhënie shumë të fortë” me Trump dhe një “marrëdhënie të shkëlqyer” me Biden. “Por të kesh dy liderë konservatorë mund të forcojë më tej konvergjencën. Është një vlerë e shtuar për Italinë dhe BE-në“, tha ajo.

Vëzhguesit kanë thënë se pikëpamjet e përbashkëta mbi çështje që variojnë nga emigracioni te aborti, së bashku me marrëdhënien e fortë të Melonit me aleatin miliarder të Trump, Elon Musk, mund të rezultojnë që ajo të bëhet ndërlidhësja e tij kryesore në Evropë.

Trump e theu traditën duke ftuar disa liderë të huaj në ceremoninë e tij të inaugurimit, e cila do të mbahet brenda Kapitolit për shkak të temperaturave të ulëta.

Nga Evropa, Meloni do t’i bashkohet Zemmour, një polemist ultranacionalist dhe ksenofob, i njohur për dënimet e tij për gjuhë urrejtjeje dhe si eksponent i teorisë së ekstremit të djathtë “zëvendësimi i madh”, si dhe Tom Van Grieken nga partia e ekstremit të djathtë të Belgjikës Vlaams Belang dhe Mateusz Morawiecki i partisë konservatore kombëtare të Polonisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Pjesëmarrja e Tino Chrupalla, një nga bashkëdrejtuesit e Alternativës për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë, u konfirmua nga partia të enjten. Ftesa pasoi mbështetjen e Muskut për këtë parti dhe një diskutim me bashkëdrejtuesen Alice Weidel në platformën e tij të mediave sociale, X, gjë që ngriti shqetësime të mëtejshme për ambicien e tij për të ndikuar në politikën evropiane.

Nigel Farage, udhëheqësi i partisë britanike anti-emigracion Reform, gjithashtu do të jetë i pranishëm. Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orbán, një tjetër mbështetës i Trump, u ftua, por nuk do të marrë pjesë, ndërsa udhëheqësi populist i Argjentinës, Javier Milei, i cili vizitoi Romën në dhjetor për festivalin vjetor të organizuar nga Vëllezërit e Italisë, do të jetë i pranishëm.

Gjatë konferencës së fundit për shtyp, Meloni mbrojti si Trump ashtu edhe Musk. E pyetur për komentet e Trump mbi Groenlandën dhe kanalin e Panamasë, Meloni tha se besonte se ato ishin menduar si mesazhe për fuqitë e tjera globale, sesa pretendime armiqësore kundër dy vendeve.

Në përgjigje të sulmeve të Muskut ndaj disa liderëve evropianë, veçanërisht kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, Meloni hodhi poshtë sugjerimin se komentet e tij përbënin “ndërhyrje të rrezikshme”.

Problemi lind kur njerëz të pasur përdorin burimet e tyre për të financuar parti, shoqata dhe eksponentë politikë në mbarë botën për të ndikuar në zgjedhjet politike të shteteve kombëtare“, tha Meloni. “Kjo nuk është ajo që po bën Musk“, shtoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA