“Sullfaqexhi ordiner dhe kërmill lëpirës”, Braimllari drejt kalimit në PS, i përgjigjet akuzave të PL: Nuk dua të merrem me të shkuarën

13/01/2025 17:00

Më pak se një vit nga dorëheqja si nënkryetar i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka vendosur të largohet përfundimisht nga kjo forcë politike.

Në një prononcim për Top Channel ai ka lënë të hapur mundësinë e vijimit të karrierës politike në një tjetër forcë të majtë në funksion të zgjedhjeve të 11 majit. 

Ai tha se do të kontribuonte edhe për Partinë Socialiste nëse do të krijoheshin hapësirat.

“Nëse do të krijohen hapësirat e nevojshme unë do jap kontributin tim si i majtë që jam”, tha ai për Top Channel.

Endrit Braimllari ka qenë një ndër më të sulmuarit e Ilir Metës, gjatë kohës kur ai mori partinë nga Monika Kryemadhi. 

Ndonëse nuk ia ka përmendur emrin publikisht, Meta fliste shpesh për “sufllaqexhinjtë” në radhët e Partisë së Lirisë që ishin kapur nga Rilindja. 

Në prill 2023, Endrit Braimllari ishte një nga funksionarët e PL-së që dëshmoi në SPAK për lobimin që ka bërë kjo force politike në SHBA, në kuadër të hetimit që u ndërmor ndaj Ilir Metës.  

Seanca e dëshmisë u zhvillua në prill 2023 pas ardhjes së letër-porosisë nga SHBA, ku ai është pyetur nga prokurorët e SPAK-ut në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë.

Zyrtarisht nuk është bërë e ditur se ccfarë ka deklaruar Braimllari në SPAK, por fakti që Meta nisi sulmet ndaj tij dhe më pas e shkarkoi nga funksionet e partisë, lë të kuptohet që dëshmia e tij ish-deputetit është përdorur në arrestimin e ish-Presidentit. 

Pas deklaratës së sotme të Braimllarit, ka reaguar edhe Partia e Lirisë, e cila e ka rikthyer termin “sufllaqexhi” për ish-nënkryetarin. 

Jasmira Memelli, zëdhënësja e PL-së, tha se ish-deputeti Braimllari është përdorur nga Rilindja. 

“Një përgjigje për “sufllaqexhiun” e grupit kriminal të SPAK-ut: “21 Nëntori”! Për herë të dhjetë në pak ditë, bashkëpunëtori i regjimit dhe i SPAK-u nga 21 nëntori 2023, Endrit Brahimllari, ka shpallur largimin nga Partia e Lirisë. E vërteta është se ky “sufllaqexhi” ordiner, që gdhihej dhe ngrysej duke “u përbetuar” për besnikëri të përjetshme ndaj Ilir Metës, prej 1 viti e gjysmë nuk është më pjesë e asnjë strukture tone politike dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës”, tha zëdhënësja e PL-së.

Lidhur me këto deklarata të ish-partisë së tij, Braimllari i kontaktuar nga Top Channel tha se është e drejta e tij të zgjedhë se cilën forcë politike do të mbështesë në 11 maj. 

“Nuk kam asnjë koment dhe nuk dua të merrem me të shkuarën. Angazhimi im në politikë ka të bëjë me një gjuhë pozitive, paqësore në shërbim të qytetarëve. Sot më shumë se kurrë modeli që duhet të transmetojmë tek shoqëria është ai i pozitivitetit dhe jo gjuha e urrejtjes. E kam thënë dhe është një e drejtë e imja të zgjedh kahun të cilin do mbështes në zgjedhjet e ardhshme sepse për rreth 11 muaj unë nuk kam angazhim politik dhe këto muaj kanë shërbyer si moment reflektimi dhe ridimensionimi të rolit tim”, tha Braimllari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA