Ulja e çmimit të energjisë elektrike për familjarët që harxhojnë deri në 700 kw/h në muaj ka ndezur diskutim të gjerë në publik dhe mes ekspertësh.
Skema e përfitimit duhet të ishte më gjithëpërfshirëse referuar profesorit Selami Xhepa, teksa ekonomisti Eduart Gjokutaj vlerëson se është një model i praktikuar nga vendet fqinje.
“Nuk është një reformë e mirëfilltë tarifore, reformë do të ishte po të shikonim të gjithë zinxhirin e tarifimit të përfshirë: të gjithë operatorët jo vetëm konsumatorët familjarë, pra prodhuesit, sipërmarrësit”, u shpreh për Top Channel Xhepa.
“Është një masë që përdoret edhe në vende të tjera pasi vetë çmimi i energjisë shfryhet nëpërmjet subvencioneve edhe në vende të Ballkanit që kanë një treg të paliberalizuar ende, është ndryshe me tregjet e Europës Perëndimore ku çmimi ndjek bursën dhe natyrisht e aty në raste të caktuara përdoret për shtresat vulnerable përdoren elemente të tillë të uljes së çmimit apo të subvencioneve më së shumti”, tha Gjokutaj.
1 lek më pak për kw, shihet herë si ndihmë për abonentët familjarë e herë si e pamjaftueshme.
“Ndihma më e madhe është për shtresat që kanë më pak të ardhura, apo për ata në pension e që janë edhe afër kufirit të minimumit jetik. Përtej asaj që kanë qasje sociale për të ndihmuar e për shfryrë koston e përditshme të jetesës, duhen përdorur forma të tjera që të jenë të përhershme”, tha Gjokutaj.
“Diskutimi që është ngjallur në publik nuk e meriton këtë vëmendje se ulja është modeste edhe përfitimi është modest edhe sidomos për shtresat në nevojë. Një familje pensionistësh nuk shpenzon më shumë se 400 kë/h në muaj e gjithë përfitimi do ishte 4 mijë lek të vjetra”, tha Xhepa.
Transparenca mbi financat e OSHEE-së dhe përmirësimit të të ardhurave; baza që solli vendimmarrjen e Entit rregullator të energjisë për uljen e çmimit për këtë kategori konsumatorësh, do të ishte e nevojshme sipas specialistëve për të analizuar sasinë tavan të vendosur dhe masën e përfitimit.
“Duhet të dimë më shumë informacion për të qënë të besueshëm nëse ulja me 1% është e mjaftueshme, realiste apo kishte hapësira për ta ulur më shumë apo nëse planet e investimeve të koorporatës; sepse tarifa nuk duhet të mbulojë vetëm se sa kushton energjia që prodhohet por duhet të jetë e tillë që ti mundësojë koorporatës dhe investime për të modernizuar sistemin në afatin e gjatë”, tha Xhepa.
“Të dhënat e publikuara për dy tre vitet e fundit tregojnë se OSHEE ka një bilanc pozitiv, pra rezulton me fitim. Por nqs hapim një diapazon natyrshëm humbjet janë të thella të mëparshme. Diversifikimi i burimeve, në momentin kur s’ke hidro të mos varesh nga importi por të prodhosh nga dielli, era apo nga burime gjeotermale; kjo ndikon dhe mund të themi që vendimi është marr në kushtet e mbyllura e s’mund ta komentojmë është pak apo shumë; se vetë kompania aq e ka konsideruar”, tha Gjokutaj.
Top Channel